Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit James Rubin vazhdon edhe sot dëshminë në Hagë

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit James Rubin vazhdon edhe sot dëshminë në Hagë

Aktuale September 17, 2025 - 08:01

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë sot, për të tretën ditë me radhë, vazhdon dëshminë e tij James Rubin, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, i cili është dëshmitar i thirrur i mbrojtjes së Thaçit.

Ish-diplomati amerikan James Rubin, në ditën e dytë të dëshmisë së ti të martën, tha para trupit gjykues se "fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë më shqetëson, mendoj se lidhet me politikën".

Rubin tha se me dëshirën e tij do ta kishte përfunduar dëshminë dje, në ditën e dytë të dëshmisë së tij, por trupi gjykues i tha se pyetjet për të nuk kanë përfunduar dhe se do të vazhdojë edhe mbrojtja me pyetje, përveç trupit gjykues.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, ka deklaruar se nuk ekzistojnë prova apo informacione që mbështesin pretendimet se lidershipi i UÇK-së ka qenë i përfshirë në urdhra për vrasje apo krime të organizuara.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, të hënën, në Hagë, Rubin i cili është duke dëshmuar me autorizimin e Qeverisë Amerikane, tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubini theksoi se Thaçi kishte kryesisht rol politik dhe se nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së. Sipas tij Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

James Rubin, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, gjatë luftës në Kosovë ishte një nga zërat kryesorë që shpjegoi qëndrimet amerikane para, gjatë dhe pas ndërhyrjes së NATO-s.

Edhe para 26 vitesh, Rubin kishte deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe se nuk kishte qëllime për të larguar serbët nga Kosova.

Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët” këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore.

Ndryshe, rasti gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët” filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.