
Çfarë dëshmoi Rubini në ditën e dytë?
Ai e nisi dëshminë me përshtypjen fillestare të Shteteve të Bashkuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 1999, duke thënë ato kishin përshtypje më ndryshe.
Rubin tregoi se si fillimisht e përshkruanim atë si organizatë me aktivitete terroriste, duke shtuar se “ne, natyrisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste".
"Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë", u shpreh ai.
Rubin gjithashtu theksoi se organet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë.
I pyetur nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të OKB-së, ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së, Rubin tha se hezitoi t’i besonte raportit.
"Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh", ka thënë ai.
Në lidhje me autorin e shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit...
Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.
Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit, raporton Radio Evropa e Lire
Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.
Ish-diplomati amerikan kishte kritika për Gjykatën Speciale.
Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.
“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson", tha Rubin.
Ai gjithashtu dëshmoi se nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK dhe se si SHBA-ja e konsideronte Thaçin si udhëheqës të caktuar nga vetë shqiptarët.
Rubin më pas zbuloi një bisedë telefonike mes Hashim Thaçit dhe presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999, dhe se si Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat ndonëse populli i tij ishte keqtrajtuar për vite të tera.
“Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.
Gjithashtu, sipas Rubinit, ishte “e qartë” se Thaçi kishte “eprorë diku nga të cilët duhej të merrte miratimin”.