
Osmani pret në takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij gjatë mandatit në Kosovë.
Sipas Presidencës, duke ritheksuar se Gjermania mbetet partner strategjik i rëndësishëm i Kosovës, Osmani ka thënë se partneriteti ndërmjet dy shteteve është në rritje të vazhdueshme.
“Me këtë rast, u veçua rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, të cilat janë forcuar edhe falë kontributit të çmuar të mërgatës kosovare në Gjermani, që përmes investimeve dhe angazhimit të tyre përbëjnë një urë të fuqishme lidhëse mes dy vendeve dhe popujve tanë”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, Presidentja po ashtu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës përgjatë viteve duke përfshirë edhe mbështetjen për rrugën drejt integrimit euroatlantik’
“Po ashtu, ajo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në sektorë të ndryshëm përmes projekteve të shumta zhvillimore. Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme”, theksohet në njoftim.