Rexhepi: Refuzojmë spektaklet politike pa rezultate konkrete

Rexhepi: Refuzojmë spektaklet politike pa rezultate konkrete

Aktuale September 16, 2025 - 12:21

Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se ka refuzuar takimin me ministrin Demo Berisha.

Rexhepi ka thënë se ka refuzuar takimin me ministrin Demo Berisha, pasi nuk ka pranuar që institucioni më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Serbi të përdoret për spektakle politike dhe takime boshe, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, kam refuzuar takimin me ministrin Demo Berisha, sepse nuk pranoj që institucioni më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Serbi të përdoret për spektakle politike dhe takime boshe, të dizajnuara më shumë për reklama mediatike sesa për zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve tanë. Ky vendim është komunikuar edhe korit diplomatik.

Si mund të ketë besim e bashkëpunim të vërtetë, kur prej muajsh janë bllokuar fondet për trashëgiminë agrokulturore dhe mbi 900 fermerë shqiptarë nuk marrin mbështetjen e fituar me meritë.

Plani për Integrimin e Shqiptarëve në Institucionet Publike (2023-2026) po shkon drejt dështimit total, pa asnjë hap konkret nga ministria.

Vetë ministri përdor gjuhë kriminalizuese ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar, institucionit më të lartë përfaqësues të shqiptarëve në Serbi.

Mjaft me spektakle, shqiptarët e Luginës presin veprim e rezultate!