Prokurori Rubinit: S’e lexuat aktakuzën e as s’i dëgjuat dëshmitarët, por thatë që Thaçi ndiqet penalisht për arsye absurde

Prokurori Rubinit: S’e lexuat aktakuzën e as s’i dëgjuat dëshmitarët, por thatë që Thaçi ndiqet penalisht për arsye absurde

Aktuale September 16, 2025 - 12:40

James Rubin u ballafaqua me deklarata të tij të mëhershme që i kishte dhënë në publik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë dhe aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Ai e kishte përshkruar Prokurorinë si turp në një deklaratë në korrik të këtij viti, për të cilën, Rubin tha se mund të ketë qenë shprehje e pamatur.

“Mund ta kem përdorë atë fjalë që mbase ka qenë jo e matur. Por, kur je në televizion mbase përdor edhe fjalë që mbase nuk duhet përdorur. Sidoqoftë unë mund edhe ta tërheq edhe këtë fjalë”, deklaroi Rubini.

Dëshmitari kishte thënë se as nuk e kishte lexuar dosjen paragjyqësore, as aktakuzën dhe as nuk i kishte ndjekur dëshmitë e dëshmitarëve. Më pas, prokurori James Pace duke ia përmendur këtë fakt e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në korrik lidhur me Prokurorinë.

“Ju thatë në televizion se zoti Thaçi po ndiqet penalisht për arsye krejt absurde. A është kjo ajo që keni thënë”, pyeti prokurori.

“Po, besoj që këtë e kam thënë”, tha James Rubin.

Në këtë intervistë, James Rubin kishte thënë se është turp që Thaçi mbahet në burg derisa Qeveria e Kosovës e krijoi vetë këtë Gjykatë.

“Ligji është shumë kompleks dhe fatkeqësisht mund të shpërdoret nga anët politike, nga grupet e të drejtave të njeriut në vetvete, nga gazetarët… Sinqerisht, besoj që në Ballkan ishte… i drejtësisë ka dalë jashtë kontrolli dhe këtë e shoh si shembull të Prokurorisë, konkretisht ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit është një turp. Qeveria e Kosovës e krijoi tribunalin vetë, e bëri të pamundurën dhe më pas ai ndiqet penalisht për gjëra krejt absurde se ai paska kontrolluar gjithçka që nuk është e vërtetë. E kanë mbajtur në burg për shumë vite sepse nuk dinë se si të vazhdojnë me këtë gjykim”, kishte deklaruar Rubin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

James Rubin kishte thënë se ushtria serbe ka kryer 95% të vrasjeve masive dhe të barazosh këtë me atë që bënë shqiptarët e Kosovës është absurde dhe për të ardhur keq.

“Fakti se nuk e lirojnë as me kusht presidentin dhe presin që të gjejnë prova dhe të gjejnë zgjidhje se si të vijojnë për këtë gjykim, mendoj se kjo është një problem”, kishte thënë Rubini.

Ai tha se ka qenë shumë herët në mëngjes intervista, por po ato ishin fjalët e tij.