
Kroacia forcon kufijtë, ushtrinë dhe policinë për shkak të situatës në botë
Për shkak të situatës komplekse të sigurisë në botë, Kroacia do të ndajë 120 milionë euro për të forcuar kufijtë e saj të jashtëm dhe të Schengenit, njoftoi sot qeveria e këtij vendi, një nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian.
“Situata ndërkombëtare e sigurisë është shumë komplekse. Ne po punojmë për të forcuar kufijtë e jashtëm dhe të Schengenit, ushtrinë dhe policinë. Kohët e fundit morëm një vendim për të investuar 120 milionë euro për të rritur aftësitë teknike të kontrollit të kufirit të gjelbër”, tha Andrej Plenkoviq, kryeministri i Kroacisë, siç u publikua në profilin zyrtar të qeverisë në rrjetin social X.
Ai theksoi se Kroacia është e shqetësuar për zhvillimet globale.
“Ne po i ndjekim zhvillimet globale me shqetësim. Politika jonë ishte e tillë që numri i kalimeve të paligjshme të kufirit u ul deri në 56.6 për qind në vitin 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Plenkoviqi.