
Hapet konkursi për pranim në Qendrën e Studentëve, Nagavci tregon për kushtet në konvikte
Është hapur konkursi për regjistrimin e 4 mijë studentëve të rinj në Qendrën e Studentëve. Kjo u bë e ditur gjatë një vizite në këtë qendër, që pati ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Derisa fliste për kapacitetet në konvikte, ajo përmendi edhe investimet, siç e potencon, të konsiderueshme për një konvikt të ri.
“Nga sot deri me datën 20 konkursi do të hapet për regjistrimin e 4 mijë studentëve, të cilët do të qëndrojnë, edhe qëndrimi i plotë fjetja dhe ushqimi. Përtej saj, qendra ka potencial për të ofruar diku 1 mijë e 500 studentëve mundësi të ushqehen në kuadër të Qendrës. Kushtet janë shumë të mira, i kemi bërë përgatitjet e nevojshme prej 4 mijë studentëve dhe 70 për qind janë kapacitete për vajza që regjistrohen si studente. Për shkak të mbështetjes, vlera që do të paguajnë është simbolike 20 euro, qëndrimi pagesa mujore dhe 15 euro për ushqim. Rezultatet do të bëhen publike me datën 26 shtator dhe nga 1 tetori do të fillojë vendosja e studentëve në konvikte. Përtej investimeve që bëhen konvikt pas konvikti në kuadër të buxhetit të paraparë për Lojërat Olimpike është paraparë edhe një investim i konsiderueshëm edhe për ndërtimin e një konvikti të ri dhe përmirësimin e kushteve edhe infrastrukturës fizike në konvikte”, ka thënë Nagavci.