
Rubin: Deri në ndërhyrjen e NATO-s, s’kemi besuar që UÇK-ja kishte strukturën që ne e mendonim
James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se deri me ndërhyrjen e NATO-s ata nuk kanë besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturën që ata e kanë menduar.
“Deri në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ne nuk e kemi e besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturë që ne e mendonim që ishte një strukturë e mirorganizuar ushtarake”, tha Rubini.
Rubini tha se nuk merrte informacione nga misioni i GDOM-it në Kosovë lidhur me strukturën e UÇK-së dhe se ata ishin të fokusuar në lëvizjet e forcave serbe dhe veprimet e UÇK-së.
Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Kadri Veselit, për të vazhduar më pas mbrojtja e Jakup Krasniqit, përmes avokates Shyamala Alagendra, pasi mbrojtja e Rexhep Selimit nuk pati pyetje.
Rubini tha se në grupin e kontaktit ka pasur kontakte minimale me Jakup Krasniqin dhe se pikë kontakti për udhëheqjen e shqiptarëve të Kosovës e kishte Hashim Thaçin.
Ai tha se pjesa më e madhe e anëtarëve të delegacionit ishin pro nënshkrimit të marrëveshjes. Po ashtu u pajtua se konsultimi duhej të bëhej me komandantët e zonave.
Për disa nga pyetjet Alagendra kërkoi seancë private e cila u aprovua nga trupi gjykues.
Në këtë seancë, James Rubin pohoi se Ramë Buja, Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi përshkruheshin se persona të moderuar brenda UÇK-së.