
Mishetiq: Në Rambuje, Thaçi shprehu shqetësim se s’kishte autorizime për nënshkrim në emër të UÇK-së
Në prezantimin e shkurtër që ia bëri James Rubinit, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, avokati kryesor i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka theksuar se dëshmitari ishte i dërguar i lartë i sekretares së Shtetit Madeline Albright dhe u përfshi në Rambuje me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe në demobilizimin e UÇK-së.
Mishetiqi tha se dëshmitari, Rubin, ka treguar paraprakisht në dëshminë e tij para mbrojtjes se në Rambuje, Thaçi i ka treguar se ishte i shqetësuar se nuk kishte autorizimet e nevojshme për të dhënë nënshkrimin e tij në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rubini po dëshmon në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai është në mesin e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja.