
Rubini për ndërveprimet me Thaçin
James Rubin, në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se gjatë negociatave për paqen në Kosovë në vitin 1999 kishte ndërveprime të drejtpërdrejta me Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.
Rubini u angazhua nga sekretarja e atëhershme e shtetit amerikan, Madeline Albright, për të mbështetur delegacionin shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë dhe më pas si i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.
Ai vuri në dukje se Thaçi kishte kufizime në autoritetin e tij, duke mos pasur mundësi të nënshkruante marrëveshjet pa miratimin e krahut ushtarak dhe nuk merrte pjesë në bisedimet teknike.
Megjithatë, Rubini theksoi se që në fillim Thaçi kishte shprehur dëshirën për një Kosovë demokratike, pa dhunë ndëretnike dhe të mbështetur nga vlerat perëndimore.
Rubin gjithashtu sqaroi se në qershor të vitit 1999, sekretarja Albright u takua me Thaçin, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen, duke i inkurajuar ata që të krijonin një strukturë të përbashkët në terren për të ndërtuar administratën civile - një hap ky që Rubin e interpretoi si një referencë të tërthortë për qeverinë e përkohshme të Kosovës. /Rel