Numër i madh i protestuesve në Hagë, bëjnë thirrje për drejtësi

Numër i madh i protestuesve në Hagë, bëjnë thirrje për drejtësi

Aktuale September 14, 2025 - 13:15

“Nderim për ata që luftuan për të ardhmen tonë”, “Drejtësi për heronjtë e popullit tim”, dhe “Pesë vjet në gjykim, liria nuk duhet askund, padrejtësia nuk mund të zgjasë përgjithmonë – liri tani”, janë disa nga pankartat në gjuhën angleze.

Me mijëra shqiptarë nga e gjitha bota kanë filluar të mblidhen në qytetin holandez, në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku do të mbahet protesta në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga pamjet, shihet numër i madh i protestuesve shqiptarë të cilët kanë filluar të mblidhen një orë para se nis zyrtarisht protesta.

Me flamuj kuq e zi e njëzëri duke thirrur “UÇK”, shqiptarët kanë “pushtuar” Hagën.

Protesta, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të mbahet sot në kryeqytetin e Holandës por ajo nuk do të zhvillohet para Gjykatës, por në një shesh tjetër.

Në mbështetje të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, protesta është thirrur kundër padrejtësive në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta zhvillohet vetëm një ditë para nisjes së fazës së re të procesit gjyqësor.

Të hënën, pala mbrojtëse do të fillojë paraqitjen e dëshmitarëve, mes të cilëve pritet të jetë edhe James Rubin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit në administratën e presidentit amerikan Bill Clinton, i njohur për rolin e tij diplomatik gjatë luftës në Kosovë.

Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato politike dhe të padrejta, ndërsa mbështetësit e tyre kanë kërkuar vazhdimisht proces transparent dhe të paanshëm./Telegrafi