Abdixhiku hap fushatën: Jemi mbledhur për të nisur rrugëtimin e madh drejt fitores së 12 tetorit
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku hap fushatën: Jemi mbledhur për të nisur rrugëtimin e madh drejt fitores së 12 tetorit

Aktuale September 13, 2025 - 18:51

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka thënë se “koha është të ngrihemi sërish në këmbë gjithandej nëpër Kosovë, me një ëndërr, me një shpresë dhe me një thirrje që nuk ndalet asnjëherë: LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë”.

Këto fjalë, lideri i LDK-së i tha në hapje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të tetorit, në Prishtinë.

Ai tha se ky nuk është vetëm një tubim i radhës elektoral, por për të ndezur shpresën e një populli.

“Për të kthyer besimin në politikë e në Republikë. Jemi mbledhur për të nisur rrugëtimin e madh drejt fitores së 12 tetorit dhe me gjithë të, për të nisur një kapitull të ri të vetë jetës në republikën tonë”.

“Ky është rrugëtimi ynë i ri. Sonte themi me gjithë zemër: Krejt Kosova LDK”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se kjo që do të ndodhë sonte në këtë hapje të fushatës do të mbahet mend gjatë.

“Ju them, ju premtoj e zotohem se çfarë kemi nisur sonte këtu do të mbahet mend gjatë, jo vetëm gjatë këtij muaji elektoral, por edhe te gjenerata që do të vijnë pas. Do të kuptojnë se ndryshimi i vjeshtës nisi nga kjo sallë, LDK dhe e gjithë Kosova u bënë bashkë, u bënë një”, shtoi kreu i LDK-së.

Abdixhiku tha se sonte po e nisin një kryengritje shprese, një kapitull të ri të qyteteve dhe vetë republikës.

“Në këtë kapitull shprese duhet t’ia kujtojmë forcën tonë edhe vetes edhe të tjerëve se kush jemi ne. Jemi pasardhësit e qëndresës, rezistencës, jemi pasardhësit politik të shqiptarit më të madh të të gjitha kohërave, jemi pasardhësit politik të Doktor Ibrahim Rugovës”, tha ai.