
Rama: Po krijojmë një hapësirë dinjitoze për të moshuarit tanë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar Shtëpinë e të Moshuarve në kryeqytet, ku u prezantuan investimet e fundit në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve për të moshuarit që banojnë aty.
“Ishte kënaqësi e veçantë të takoja sërish secilin prej tyre. Jam i lumtur që kemi arritur ta zgjerojmë kapacitetin me staf të ri që tashmë është çdo ditë pranë të moshuarve tanë – me përkushtim dhe zemër,” tha Kryetari Rama.
Ai bëri të ditur se krahas shtimit të stafit – përfshirë mjekë, infermierë, punëtorë kujdesi, staf administrativ dhe teknik – janë bërë edhe ndërhyrje në ambientet e brendshme dhe të jashtme të shtëpisë.
“Është intervenuar si në hapësirat e brendshme ashtu edhe në oborr, që kjo shtëpi të mos jetë vetëm një vend kujdesi, por edhe një hapësirë për shoqëri, qetësi dhe jetë të dinjitetshme për secilin,” shtoi ai.
Kryetari falënderoi stafin dhe banorët për mikpritjen dhe energjinë pozitive gjatë vizitës.
“Faleminderit për mikpritjen dhe energjinë e mirë. Kjo qasje është dëshmi se kujdesi për të moshuarit nuk është vetëm detyrë institucionale, por vlerë e komunitetit tonë,” përfundoi Rama.