Kosova, nikoqire e debatit ndërkombëtar për transformimin e kujdesit shëndetësor

Kosova, nikoqire e debatit ndërkombëtar për transformimin e kujdesit shëndetësor

Aktuale September 13, 2025 - 10:47

Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (ISEE-HSP) ka mbajtur Konferencën e 16-të Ndërkombëtare të Shkencave Shëndetësore, me temën “Transformimi i Modeleve të Kujdesit dhe Terapisë: Inovacione në Shëndet dhe Mirëqenie”, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i bordit të ISEE-HSP, doktor Petrit Beqiri, tha se qëllimi kryesor i këtij formati është adresimi i sfidave të sistemit shëndetësor nga disa këndvështrime dhe përkrahja e gjeneratës së re të studiuesve.

“Qëllim bazë i këtij eventi për herë të parë më 2006 është ofrimi një platforme që trajton sfidat e sistemit shëndetësor nga tri këndvështrime, atë të politike bërjes, aspektit profesional dhe atij humanues. Ky trekëndësh ka për qëllim të mundësoj qasje praktike ndaj sfidave aktuale të sistemit shëndetësor si dhe mundësoj ndikim direkt në përmirësimin e tyre. Një tjetër qëllim bazë i këtij formati është të shërbej si suport për student dhe humanues të rinj që të kenë mundësin e prezentimit të punës së tyre në nivel ndërkombëtar”, tha ai.

Rektorja e Kolegjit Heimerer, Naime Brajshori, theksoi se temat e këtij viti janë zgjedhur me kujdes, duke marrë parasysh sfidat globale të sektorit shëndetësor dhe social.

“Marr parasysh sfidat globale në sistemin shëndetësor dhe social kemi përzgjedhur me kujdes temat dhe sesionet e konferencës duke u fokusuar në inovacion sepse bota po sfidohet me tema të reja, me probleme të reja dhe kështu jemi të gatshëm të përgatitur që të përballemi me këto sfida”, deklaroi Brajshori.

Ndërsa kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, u shpreh se tema e konferencës është tejet e rëndësishme dhe aktuale.

“Ne mendojmë se tema është shumë e qëlluar, është e nevojshme, është e domosdoshme dhe është e kohës. Një përshëndetje për pjesëmarrësit e huaj që na kanë nderuar neve si vend sepse kështu bëjmë shkëmbim të përvojave dhe i shkëmbejmë me të tjerët. Si ode jemi të përkushtuar dhe kemi qenë që të jemi në kahun e atyre që bëjnë edukim ashtu sikur kërkojnë rregulloret”, tha ai.

Këtë vit, konferenca sjell një numër të madh folësish vendorë dhe ndërkombëtarë që për herë të parë ndajnë përvoja, ide dhe rezultate kërkimore, duke pasuruar diskursin shkencor në fushën e shëndetësisë. Përveç prezantimeve shkencore, në këtë ngjarje do të mbahen panele diskutimi, sesione interaktive dhe do të ofrohen mundësi të shumta rrjetëzimi mes profesionistëve të shëndetësisë, studiuesve dhe studentëve. /EO