Pezullimi i Dialogut Strategjik, DhTIK: Bizneset kanë nevojë për partneritete ndërkombëtare

Pezullimi i Dialogut Strategjik, DhTIK: Bizneset kanë nevojë për partneritete ndërkombëtare

Aktuale September 12, 2025 - 17:57

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka pranuar me shqetësim të thellë lajmin për pezullimin e Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

Në një njoftim të lëshuar për media nga DhTIK-ja thuhet se ky proces ishte konceptuar si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vend.

“Për ne, marrëdhëniet e fuqishme dhe të qëndrueshme me SHBA-në janë jetike, pasi SHBA ka qenë gjithmonë partneri ynë më i madh strategjik dhe ka dhënë mbështetje vendimtare për ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës”.

“DhTIK vlerëson se çdo veprim apo deklaratë që rrezikon prishjen e këtij raporti është në dëm të interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të Kosovës. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka qenë e para që ka kërkuar nga qeveria që me urgjencë të heq taksën ndaj prodhimeve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi ishin të vonshëm dhe pa ndonjë efekt pozitiv”, thuhet në njoftim.

DhTIK shton se bizneset e Kosovës kanë nevojë për stabilitet politik, siguri juridike dhe partneritete ndërkombëtare për të ecur përpara.