OEK: Duhet gjetur sa më shpejt një rrugë për rifillimin e Dialogut Strategjik
Foto: Laura Hasani

OEK: Duhet gjetur sa më shpejt një rrugë për rifillimin e Dialogut Strategjik

Aktuale September 12, 2025 - 17:41

Oda Ekonomike e Kosovës është shprehur e shqetësuar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovës.

Në një njoftim të lëshuar për media nga OEK thuhet se pezullimi i kësaj nisme përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës.

OEK citon të ketë thënë kryetari i saj, Lulzim Rafuna, se përmirësimi i imazhit të Kosovës si destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.

“Ai nënvizoi se mungesa e investimeve të huaja, së bashku me rënien e investimeve nga diaspora, po krijon një situatë tejet sfiduese për ekonominë e vendit, e cila tashmë po përballet me vështirësi të shumta”.

“Rafuna gjithashtu theksoi se liberalizimi i tregut të energjisë ka sjellë barriera shtesë për bizneset dhe për ekonominë në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

Oda Ekonomike e Kosovës apelon për gjetjen sa më të shpejtë të një rruge për rikthimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe thekson nevojën urgjente për konsolidimin e politikave ekonomike, në mënyrë që të rikthehet besimi i investitorëve të huaj dhe të krijohen kushte të qëndrueshme për zhvillim ekonomik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën për shkak të Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti. Veprimet e ekzekutivit kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”, tha sot ambasada amerikane në Prishtinë.