“Masat” amerikane, OEAK: Thelbësore që Qeveria të ndryshojë menjëherë qasjen
Foto: Laura Hasani

“Masat” amerikane, OEAK: Thelbësore që Qeveria të ndryshojë menjëherë qasjen

Aktuale September 12, 2025 - 16:20

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me njoftimin e sotëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.

Pezullimi i kësaj nisme të rëndësisë strategjike për Kosovën, sipas OEAK, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës.

“Në këtë moment vendimtar, është thelbësore që Qeveria e Kosovës të ndryshojë menjëherë qasjen e saj dhe të angazhohet në një koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova nuk ka mbështetës dhe partner më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ky realitet duhet të reflektohet në veprimet dhe vendimet e institucioneve të saj”, ka thënë OEAK.

Kjo Odë thotë se vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe përafrimit me aleatët më të besueshëm, “Kosova mund të garantojë stabilitetin, të debllokojë mundësitë ekonomike, si dhe të sigurojë mirëqenie afatgjate për qytetarët e saj”.

Oda Ekonomike Amerikane thotë se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e avancimit të partneritetit ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës dhe u bën thirrje të gjithë hisedarëve politikë e jopolitikë në Kosovë që të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun.