Reagon Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës ndaj deklaratave të Haxhiut
Foto: Laura Hasani

Reagon Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës ndaj deklaratave të Haxhiut

Aktuale September 12, 2025 - 16:00

Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës ka reaguar ndaj një deklarate të dhënë nga ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, gjatë një interviste.

Sipas reagimit thuhet se Haxhiu ka thënë: “Unë vetë si Ministre e Drejtësisë, dy përmbarues i kam shkarkuar për shkak se i kanë marr para më shumë Telekomit se sa kanë pasur për obligim, ndonëse edhe arbitrazhi edhe procedurat që janë zhvilluar me prokurori e gjykata kanë qenë në favor të këtyre oligarkëve....”.

Ndërkaq, Oda e Përmbaruesve Privat thekson se kjo deklaratë është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze, ngase arsyet e shkarkimit të dy përmbaruesve nuk janë për lëndën e Telekomit, por për lëndë krejt tjera, përkatësisht për kreditor dhe debitor tjerë, ku për këtë janë vendimet e komisionit disiplinor për shkarkimin e tyre, e më pastaj është prurë vendimi nga Ministrja për lirimin nga detyra.

“Po ashtu e informojmë opinionin, se përmbaruesit inkasimin e shumës në emër të borxhit, nuk është e vërtetë se e kanë bërë më tepër, por në bazë të dokumentit përmbarues, si dhe në bazë të vendimeve të gjykatave, të cilat kanë vendosur sipas mjeteve juridike të cilat palët i kanë shfrytëzuar në procedurën përmbarimore. Sa i përket lëndës së Telekomit, është e vërtetë se ka pasur suspendime të përmbaruesve, mirëpo të njëjtit nga Komisioni Disiplinor kompetent janë shpallur jo përgjegjës, çka ka rezultuar se në të gjitha rastet e tilla, suspendimet kanë qenë të gabuara, ngase janë suspenduar nga një dispozitë ligjore, për të cilën mund të thuhet lirisht se është plotësisht arbitrare dhe se duhet të hiqet sa më parë, sepse mundëson ndërhyrjen e politikës në drejtësi dhe pamundëson trajtimin e mirëfilltë profesional të çështjeve disiplinore”, thuhet në reagim.