
Qerimi: Gjuha e presidentes, degradim i plotë ndaj mediave
Profesori universitar, Gëzim Qerimi ka deklaruar se çdo politikan duhet ta kuptojë se është në interes të publikut se ku shkollohen fëmijët e tyre, si të presidentes dhe kryeministrit.
Qerimi tha se deklarimet e presidentes së vendit, Vjosa Osmani për “përndjekjet e vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme” që, sipas saj, media të caktuara po ia bëjnë vajzave të saj të mitura” janë të pavërteta.
Sipas tij, presidentja ka denoncuar gjendjen skandaloze të shkollës “Ismail Qemaili”, duke theksuar se nuk janë kushtet e mira që e kanë detyruar atë t’i largojë nga kjo shkollë vajzat e saj.
Tutje, profesori u shpreh se nëse ka pas shkelje dhe përndjekje, sipas tij, duhet ta vërtetojnë institucionet e drejtësisë dhe sigurisë.
Ndryshe, profesori universitar vlerësoi se gjuha e presidentes është degradim i plotë në raport me mediat dhe në raport me përgjegjësinë ligjore që ka ajo si presidente e vendit.
“Çdo politikan duhet të kuptojë që ka interes publik ku shkollohen fëmijët e presidentes, kryeministrit, nxitimi i presidentes me reagim kishte shumë të pavërteta, e pavërteta e parë ishte që në realitet e denoncon gjendjen skandaloze të shkollës “Ismail Qemaili” jep arsye që kushtet jo të mira kanë qenë ato që e kanë detyruar, por ndërkohë thotë që arsyeja e vërtetë është si rezultat i ndërrimit të vendbanimit, pra kem të pavërteta. Presidentja në këtë rast duhet të ishte shumë më e kujdesshme edhe nëse vërtetë ka pasur shkelje, përndjekje siç pretendon ajo, atëherë duhej ta thonë organet e drejtësisë, jo presidentja, pra ajo ka pasur një komunikim shumë të nxituar. Kjo gjuhë e presidentes është degradim i plotë në raport me mediat dhe në raport me përgjegjësinë ligjore që e ka si presidente e vendit”, ka deklaruar Qerimi.
Ndryshe, sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar publikisht lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë, ku një gazetar dyshohet se ka tentuar të xhirojë vajzën e saj në një ambient publik. Në një konferencë për media, Osmani e quajti këtë ngjarje shqetësuese dhe theksoi se rasti po hetohet nga institucionet përkatëse.