Zeneli: Deklaratat e Osmanit minojnë besimin ndaj mediave
Profesori universitar i gazetarisë, Alban Zeneli, ka komentuar deklaratat e fundit të presidentes Vjosa Osmani, duke i cilësuar ato si pjesë e një qasjeje të përsëritur të institucioneve më të larta të vendit ndaj mediave.
Zeneli tha se sulmet verbale ndaj gazetarëve nuk janë të reja dhe se synimi kryesor i tyre është ulja e besimit të publikut tek media.“Fatkeqësisht, kjo qasje nuk është e re, as nga presidentja e as nga qeveria. Prej kohësh kemi parë deklarata kundër mediave dhe gazetarëve. Qëllimi final është minimi i besimit të qytetarëve në punën e ndershme të gazetarëve, të cilët me fakte dhe argumente ekspozojnë keqpërdorimet dhe format e tjera të abuzimit me pushtetin në Kosovë”, u shpreh Zeneli.Ai theksoi se përdorimi i një gjuhe të tillë, pa ofruar fakte konkrete, krijon klimë intimidimi për gazetarët dhe ndikon drejtpërdrejt në rënien e lirisë së medias, siç pasqyrohet edhe në raportet ndërkombëtare.
Sipas tij, gjuha e përgjithësuar e sulmit ndaj mediave, pa specifikuar emra apo prova, është një strategji për të ushtruar presion ndaj gazetarëve dhe për të dobësuar ndikimin e tyre në opinionin publik.
“Kjo besoj se është arsyeja kryesore. Pasojë e saj është edhe nxitja e gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve, e cila vërehet sidomos në portalet online dhe komentet e tyre. Ky fenomen reflektohet edhe në raportet ndërkombëtare, si ai i Reporterëve pa Kufij, ku Kosova ka rënë për 30 vende vetëm vitin e fundit krahasuar me vitin paraardhës. Intimidimi i gazetarëve dhe sulmet verbale pa fakte – siç ndodhi edhe dje me deklaratat e zonjës Osmani – përbëjnë sulme të përgjithësuara që synojnë uljen e besimit të publikut tek gazetarët. Ky përdorim i gjuhës bëhet me qëllim intimidimi dhe delegjitimimi të punës së tyre”, shtoi profesori universitar./dukagjini