
Përfundon pa përparim rundi i dialogut në Bruksel
Rundi i ri i dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka përfuduar pa ndonjë përparim, me Kosovën që ka insistuar në zbatimin në tërësi të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq Serbia ka kërkuar që fillimisht të zbatohet pjesa që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe emisarin evropian, Peter Sorensen, se ka insistuar që të zbatohet veçmas çështja që ka të bëjë me komisionet për të pagjeturit.
“Ideja sot ishte të kemi fillimisht progres në themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur me forcë dhe pastaj në pjesën tjetër të kemi një takim, ku palët – Kosova dhe Serbia – japin propozime konkrete, sipas të cilës pastaj, versioni i dhjetë i planit të sekuencimit do të mund të bëhej një plan i pranueshëm për palët”, tha Bislimi për gazetarët në Bruksel.
Por, Bislimi tha se nuk u arritur që të themelohet një komision për të pagjeturit për shkak se Serbia me gjasë "është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës të cilën e kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se ata duan që edhe një herë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar nga Brukseli dhe as nga pala jonë".
Komisioni për të pagjeturit është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Më 17 dhjetor 2024, Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta zbatonin këtë deklaratë.
Bislimi tha se për pikën tjetër të diskutimeve, Kosova ka ofruar tri propozime, por Serbia ka kërkuar që Asociacioni të themelohet fillimisht.
“Ato kishin të bëjnë me sigurimin që nenet 1 deri 4 të jenë të përfshira të marrëveshjes bazike, pasi kështu garantohet plotësimi i një neni të aneksit që thotë palët dakordohen apo përkushtohen për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike. Kemi kërkuar që obligimi i Serbisë për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zhvendoset nga fundi i planit në krye të planit. Kemi kërkuar që përmes gjuhës më precize të eliminohet çfarëdo mundësie për ambiguitet apo dykuptimësi. Ndërkohë që Serbia ka refuzuar të japë propozime konkrete. Por, pozicioni i Serbisë mund të përkthehet si shumë thjeshtë, së pari Asociacioni parakusht e pastaj vijat e kuqe të Serbisë, që nënkupton se në fakt Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike ose refuzon të diskutojë marrëveshjen bazike”, u shpreh Bislimi.Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023. Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Sipas kryenegociatorit të Kosovës, Serbia ndali diskutimet kur ai shtroi temën e bllokimit të shpërndarjes së mjeteve nga Qeveria e Kosovës për fermerët në Luginë të Preshevës.
Përveç takimit trepalësh, Bislimi dhe Petkoviq më herët gjatë ditës kanë zhvilluar takime të ndara me ndërmjetësin evropian, Sorensen./Radio Evropa e Lire