AGK: Akuzat dhe insinuatat e presidentes Osmani rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve
Foto: Laura Hasani

AGK: Akuzat dhe insinuatat e presidentes Osmani rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve

Aktuale September 11, 2025 - 13:58

Gjatë ditës së sotme, presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë hetimeve ka pasur bashkëpunëtorë të Millan Radoiçiqit, duke aluduar në gazetarë.

Ajo tha se ka pasur plane për një grusht shtet.

“E para, nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetërkush, janë hetuar Radoiçiqat. Kur hetohen Radoiçiqat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore, që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë plane për grusht shtet, rrezikime të ndryshme që i bëhen Kosovës. Pastaj kanë dalë shumë prova. Institucionet e sigurisë po vazhdojnë hetimet. E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi”, tha Osmani.

Për këtyre deklaratave ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Sipas AGK-së, deklaratat e presidentes Osmani, rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve në Kosovë, shkruan Zeri.info.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar edhe këtë të enjte me deklarata thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban, duke lidhur "disa gazetarë" me “Radojçiqët” dhe me “grusht-shtet”. AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzese dhe nxitëse të Presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve. Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akuzat “për disa gazetarë”, për të cilat AGK mendon se vënë në pikëpyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës. AGK-ja fton organet e sigurisë të deklarohen për këto akuza kaq të rënda, që shërbejnë si intimidim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Reagimi i plotë i AGK-së, pa ndërhyrje:

Akuzat dhe insinuatat e Presidentes Osmani rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar edhe këtë të enjte me deklarata thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban, duke lidhur "disa gazetarë" me “Radojçiqët” dhe me “grusht-shtet”.

AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzuese dhe nxitëse të Presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve.

Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akuzat “për disa gazetarë”, për të cilat AGK mendon se vënë në pikëpyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës.

AGK-ja fton organet e sigurisë të deklarohen për këto akuza kaq të rënda, që shërbejnë si intimidim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut.

AGK-ja e fton sërish Presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve, dhe të luajë rolin e saj kushtetues që garanton lirinë e medias dhe shprehjes. /Zëri