
Barduani pret diplomaten greke Vakali, diskutojnë sigurinë në Kosovë dhe dialogun me Serbinë
Diplomatja greke Heleni Vakali, shefe e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, është pritur sot në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë nga komandanti i këtij misioni, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Sipas një njoftimi zyrtar, vizita e diplomates greke u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer pikëpamje rreth situatës aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.
“Kjo vizitë ofroi një mundësi të vlefshme për të shkëmbyer perspektiva mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e gjerë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Gjatë takimit, komandanti Barduani theksoi angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit në vend dhe përkrahjen ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Gjeneralmajor Barduani përshkroi angazhimin e KFOR-it për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për të nxitur një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet më tej në komunikatë.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për rolin e kontingjentit grek në kuadër të misionit të KFOR-it, duke vlerësuar lart përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre.
“Gjenerali Barduani shprehu gjithashtu vlerësimin e tij për përkushtimin dhe profesionalizmin e kontingjentit grek, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për KFOR-in”, thuhet në njoftim.