Peci për ngërçin: Kemi hyrë në qorrsokak, LDK-ja i ka ikur përgjegjësisë
Foto: Laura Hasani

Peci për ngërçin: Kemi hyrë në qorrsokak, LDK-ja i ka ikur përgjegjësisë

Aktuale September 11, 2025 - 08:08

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se Kosova ka hyrë në një qorrsokak sa i përket krijimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa sipas tij “kryesisht udhërrëfyes janë inatet”.

“Ne duhet ta kuptojmë ABC e demokracisë. Një individ që është kryetar partie apo koalicioni që i ka fituar 42%, e që në rast se e përkthejmë në nivel të shumicës shqiptare është afër 50%, nuk mund të mënjanohet. Kjo bllokada që nuk duam bashkëpunim, nuk duam partneritet dhe njëkohësisht edhe refuzimi me marrë përgjegjësi nuk shkon. Është e qartë që LDK i ka ik përgjegjësisë, nuk po e akuzoj PDK-në sepse s’kanë pasur ofertë. Nuk mund edhe t’i ikësh përgjegjësisë edhe të pretendosh se po bën bllokadë institucionale”, ka thënë Peci.

Ai ka thënë se emri i Dimal Bashës me renditje të propozimit të emrave ka shkuar mbi bazën e kompromiseve që ka bërë koalicioni fitues, duke hequr dorë emër pas emri për shkak të mos votimit.

“Erdhi Dimal Basha, ka mundur të jetë kushdo tjetër. E kemi diskutuar emrin e tij dhe e kemi pasur opsion. Përderisa ne nuk e kemi pasur qasjen rigjile, në vazhdimësi presioni i medieve ka qenë që të ketë lëvizje nga njëra anë. Ne kemi bërë pesë herë lëvizje në aspektin e emrave dhe kemi bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje. Unë mendoj që qytetari në politikë s’ta vlerëson veç rezultatin, por edhe përpjekjen. Është diskutuar gjerë e gjatë Dimal Basha, ka pasur pajtueshmëri dhe është thënë se të shkojmë me emrin e një deputeti aktiv që meqenëse opozita nuk po na pëlqejnë asnjërin nga ne, posaçërisht ne që jemi ministra, atëherë kemi thënë shkojmë me Bashën”, ka thënë Peci.

Në pyetjen se çfarë do të ndodhë pas 30 shtatorit, Peci ka thënë se kjo varet nga interpretimet, vlerësimet dhe sugjerimet që do t’i japë Gjykata Kushtetuese.

“Prej krejt historisë dhe kronologjisë të temave që i janë adresuar Gjykatës Kushtetuese, mendoj se kjo është ndër temat më të rënda. Ata duhet ta ndiejnë barrën dhe peshën e përgjegjësisë. Unë po, mendoj se Kosova është shtet demokratik, Kosova ka institucione, ka gjykata, sikurse e ka Gjykatën Kushtetuese, por kurrë nuk duhet të harrohet që ky vend në fund e ka edhe popull”, ka theksuar Peci.

Peci: Asnjëherë nuk kam ndikuar kush të përfitojë grante e subvencione

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci i ka quajtur shpifje akuzat se ka pasur ndikim që vëllai i Fitore Pacollit të LVV-së ka marrë grant nga ministria e Bujqësisë.

Ai ka thënë se gjatë gjithë kohës së zgjedhjeve nacionale është përballur me këtë akuzë.

“Para dy tre muajsh ka ardhur një koleg që është në nivel të drejtorit të një agjencie dhe më ka thënë: ‘Ministër pse ju nuk i kundërviheni dhe nuk e prezantoni të vërtetën. E vërteta tha është që vëllai i Fitore Pacollit nuk ka marrë asnjë cent nga Ministria e Bujqësisë. As grantin, as subvencionin e as tenderin ministri nuk e vlerëson”, ka nënvizuar ai.

Ai ka thënë se nëse ministri pyet për termat e referencës së një shpallje publike të një tenderi ai konsumon vepër penale.

“Kjo puna e interesimit dhe njoftimit i ka disa kufij. Unë personalisht asnjëherë gjatë gjithë mandatit për më shumë se 4 vite nuk kam interferuar e as ndikuar se kush do të jetë përfitues i një granti, subvencioni, tenderi e asnjë kontrate. Në asnjë rast të vetëm s’kam dhënë një sugjerim ose një imponim ose një ndikim se çfarë duhet bërë”, ka thënë ai në RTK.

Peci: Kandidimi im është vlerësuar si garanci e fitores në Mitrovicë

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, i cili në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kandidon për kryetar të Komunës së Mitrovicës, ka folur për shumë çështje që ndërlidhen me kandidimin e tij për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por edhe për ato në ministrinë që ka drejtuar dhe për bllokadën institucionale.

“Ekzistojnë disa arsye pse jam kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Njëra prej arsyeve kryesore është se rezultatet më të mira që i ka korr ‘Qeveria Kurti II’ janë ndërlidh me Mitrovicën dhe veriun e vendit. Dhe duke marrë për bazë se jam prej ministrave që kam marr besimin më të madh qytetar, ideja ka qenë që në pjesën gjeografike ku qeveria jo vetëm që ka pasur rezultate të mira, por ka shkëlqyer, në pjesën e menaxhimit të shtrirjes së sovranitetit, njëri prej figurave që ka pasur besimin qytetar, të sfidohet në një ambient dhe në një hapësirë dhe pjesë të territorit të Republikës ku i dihet një zhvillim më i balancuar, në kuptimin e gjendjes në të cilin ekziston qyteti, edhe në aspektin e mirëmbajtjes, menaxhimit, projekteve zhvillimore dhe infrastrukturore dhe që veriun e vendit ta kalojmë në një fazë të dytë”, tha Peci.

Sipas tij, faza e parë e veriut të Kosovës ka qenë në mekanizmat e sigurisë, policisë, njësive speciale, luftimi i kontrabandës, krimit të organizuar, parandalimi i shumë dukurive negative dhe devijante si dhe parandalimi i ndikimit të Serbisë në atë pjesë.

“Derisa faza e dytë është të qenit më kreativ dhe pro aktiv në krijimin e ideve dhe projekteve zhvillimore që e shndërrojnë Mitrovicën si qytet prej qendrës më të zhvilluar në nivel të veriut të vendit. Rrjedhimisht në objektivin që e ka Qeveria Kurti III në tentativë, që po synojmë të realizojmë, më është thënë se ‘ti je figura që ne besojmë se e ka besimin qytetar, për shkak se është e freskët koha kur i kemi pyetur qytetarët e Kosovës e të Mitrovicës se çfarë mendojnë për figurat dhe personalitetet e Mitrovicës dhe në nivel të vendit”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se në zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë më i votuar si kandidat për deputet sesa Bedri Hamza i cili kandidoi për kryeministër vendi nga PDK. Këtë ai e quajti si test për ndikimin dhe përkrahjen që gëzon në Mitrovicë.

“Është vlerësuar se nominimi dhe kandidatura ime është garanci e fitores në Mitrovicë, por njëkohësisht, por edhe garanci e një menaxhimi më të mirë në nivel të komunës për ta pasur një koordinim më të mirë në nivel qendror”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se me ndërtimin e urave qeveria nuk është duke bërë politikë.

“Ura e radhës do të jetë në mes të Zhabarit dhe Gushavcit, që do të kaloj nga pjesa e Shipolit, ku lidhet nga bypassi. Ajo do të jetë me mundësinë që të jetë unazë që i lidh edhe komunat e tjera përreth veriut për të shndërruar veriun dhe Mitrovicën në një qytet të integruar dhe funksional”, ka thënë Peci.

Ai ka thënë se puna e tij si ministër është elementi thelbësor pse i është besuar kandidimi si kryetar.