
Osmani: Vajzat e mia të mitura përndiqen vazhdimisht dhe në mënyrë të kundërligjshme
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj, siç i quajti ajo, “përndjekjes së vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme” që disa media po i bëjnë vajzave të saj të mitura.
Ajo në Facebook, ka theksuar se prej pesë vitesh vajzat e saj kanë ndjekur shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, duke u përballur me sfida të shumta infrastrukturore, por se disa gazetarë janë marrë vetëm me publikimin e vendndodhjes, klasave dhe incizimeve të paautorizuara të fëmijëve të saj.
“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezente. Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëvë të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot”, ka shkruar Osmani.
Ajo shtoi se prania e policisë pranë vajzave të saj është kërkesë ligjore dhe vlerësim i institucioneve të sigurisë, duke nënvizuar se “në asnjë vend demokratik rrezikimi i jetës së fëmijëve nuk bie brenda lirisë së shprehjes”.
“Prandaj, do të ndërmarr çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e mi nga këta të ashtuquajtur gazetarë, të cilët nuk e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve që nuk u kanë asnjë faj. Këto incizime të paautorizuara, shpesh deri në nivel të përndjekjes, për fëmijët krijojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe psikologjik, me pasoja afatgjata”, ka shkruar tutje ajo.