
GLSP: Rreth 45% e grave që kalojnë nëpër proceset e trashëgimisë heqin dorë
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Sfidat e grave në realizimin e të drejtave pronësore: Një perspektivë nga monitorimi i gjykatave”.
Nga monitorimi i gjashtë gjykatave për 11 muaj, me gjithsej 60 raste dhe 172 seanca, u tha se procedurat gjyqësore në kontestet pronësore zgjasin mesatarisht katër vjet, ndërsa shumë seanca shtyhen ose anulohen.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se mendësia patriarkale dhe mosregjistrimi i pronarëve vazhdojnë të prodhojnë pasoja të mëdha, ndërsa bëri thirrje për zgjidhje institucionale dhe jo vetëm gjyqësore.
“Ne kemi pranuar edhe ankesa dhe kemi pasur reagime të shumta. Në konceptin shoqëror, ku gruaja përjashtohet nga prona dhe si koncept vazhdon me sjellë problematikë, përkundër përpjekjeve të shoqërisë civile për të ngritur vetëdijen. Çështjet që u ngritën janë një vlerësim besnik i asaj që është gjetur, është një problematikë që kërkon zgjidhje, as nuk fillon, as nuk përfundon të drejtat pronësore në gjykatë. Ajo është vetëm një hallkë. Bartësit e institucioneve duhet menduar se ku është problemi dhe a duhet që të prit që çdo të drejtë ta realizojë gjykata. Ne po flasim për monitorimin e rasteve gjyqësore, ku gratë kanë pasur guximin. Mendoj që numri më i madh është ato që heshtin para këtyre padrejtësive. Kjo është mendësia që nëse gruaja kërkon pjesën e saj paragjykohet, por kur gabimet ndodhin në institucione është e rëndësishme që të marrin më parasysh. Duhet me qenë një zgjidhje a janë zbatuar drejt me analizë politikat institucionale për të garantuar barazi gjinore. Mosregjistrimi i pronarëve sjell pasoja të paimagjinueshme në pronësi. Ne kemi nevojë ta ndërrojmë sistemin, qasjen është e pamundur që vetëm të luftojnë gratë do të arrijnë që të kenë barazi gratë në shtet”, tha Qelaj.
Autorja e raportit, Dea Fetiu, tha se mungesa e të dhënave të ndara sipas gjinisë, vonesat në publikimin e aktgjykimeve dhe kapacitetet e kufizuara të gjykatave paraqesin pengesë serioze për qasje efektive në drejtësi.
Sipas saj, rreth 45% e grave heqin dorë nga trashëgimia, shpesh për shkak të presioneve familjare ose premtimeve të ndryshme.
“Nuk ka të dhëna të ndara në bazë të gjinisë që do t’i shërbenin hulumtimit dhe dizajnimit të politikave të ndjeshme gjinore. Gjykatat përballen me një mungesë të theksuar të kapaciteteve njerëzore edhe teknike. Aktgjykimet e rasteve civile publikohen shumë rrallë dhe vonë. Këtë problem e kemi edhe me penalen: aktgjykimet nuk publikohen sipas udhëzimit administrativ. Procedurat gjyqësore të zgjatura, veçanërisht në çështjet civile dhe ato që lidhen me pronësinë, përbëjnë një pengesë të rëndësishme për qasjen efektive në drejtësi. Një padie i duhet mesatarisht katër vjet që një rast të fillojë të shqyrtohet. Nga 172 seanca të monitoruara, 55 u shtynë dhe shumë të tjera u anuluan. Rreth 45 për qind e grave që kalojnë nëpër këto procese përfundojnë duke hequr dorë nga trashëgimia, shpesh nën presione të ndryshme. Arsyet përfshijnë frikën nga prishja e marrëdhënieve familjare. Një arsye tjetër e heqjes dorë nga trashëgimia ishin premtimet e ndryshme që u bënë grave”, shtoi ajo.
Ndërsa gjyqtari dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Artan Abazi, pranoi se gjykatat janë të mbingarkuara, por theksoi se çështjet e grave duhet të trajtohen me prioritet, duke përmendur se KGJK-ja ka nxjerrë strategji për përfundimin e lëndëve të vjetra.
“Nuk është vetëm faji i gjykatës, por i numrit të madh të institucioneve. U cek që grupi i monitoruesve ka pasur vështirësi kur palët kanë qenë gratë, edhe pse nuk kemi arritur të bëjmë përditësimet se cilat janë gratë. Kjo është me rëndësi dhe ne jemi në drejtim ta bëjmë këtë sistemin, ta bëjmë menaxhimin elektronik të lëndëve. E dini që gjykatat kanë qenë të ngarkuara me lëndë, gjykata janë disa çështje ligjore që ligjet i kanë përcaktuara nga kuvendi dhe aty përcaktohet se cilat lëndë duhet të trajtohen me prioritet. Kategoria e grave duhet të jetë me prioritet dhe kur gratë kanë pengesa punësore ka mangësi për një grua për arritjen e qëllimeve, çështja që nëpër gjykata tona ka zvarritje, ngase KGJK-ja ka nxjerrë një strategji të lëndëve të vjetra dhe e obligon gjyqtarin se nëse më shumë se dy vjet nuk e ka përfunduar i iniciohet lënda”, tha Abazi. /EO