MPJD-ja, thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë
Foto: Laura Hasani

MPJD-ja, thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë

Aktuale September 10, 2025 - 08:51

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimet në këtë fazë nëpërmjet territorit të Serbisë.

Një apel i tillë për qytetarët vjen pasi MPJD-ja konfirmoi arrestimin e qytetarit të Republikës së Kosovës, Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet e Serbisë, më 8 shtator 2025, në pikën kufitare në Merdar, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.

“Në këtë fazë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së tyre. MPJD-ja gjithashtu nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

MPJD-ja thekson tutje se rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve.