Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media

Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media

Aktuale September 10, 2025 - 08:13

Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë sot një konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës, me fillim në orën 13:30.

Ky subjekt politik nuk i ka bërë të ditura arsyet e thirrjes së konferencës.

Konferenca vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mosveprim të deputetëve të Kuvendit deri më 30 shtator.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke komentuar këtë vendim, të dielën tha se janë plot 18 ligje që prej më shumë se 9 muajsh presin vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Ai kritikoi vonesën e kësaj gjykate, duke theksuar se për kërkesat e Listës Serbe ajo merr vendim brenda 25 ditëve, ndërsa për ligjet e tjera nuk ka përgjigje, duke kështu bllokuar 120 deputetë dhe penguar punën e Kuvendit.

Kurti theksoi se, ndërsa Qeveria punon çdo ditë për qytetarët, Gjykata po vonon dhe bllokon reforma jetike, me pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë dhe zhvillimin e vendit.

Ai kritikoi gjithashtu opozitën shqiptare, e cila, sipas tij, me vetëm 5 deputetë nga 52 që guxuan të votojnë për Nenad Rashiqin, tregoi mungesë kuraje për të sfiduar Listën Serbe. “Ata votojnë me zell kundër Albulenës, por jo kundër Listës Serbe. Kjo është e pafalshme politikisht”, tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes nënvizoi se Kosova është një republikë demokratike dhe shoqëri multietnike, me 92% shqiptarë dhe 8% pakica, të cilëve u shërbehet pa dallim. Megjithatë, sipas tij, duhet bërë dallimi mes atyre që punojnë për integrimin e Kosovës, si Nenad Rashiq, dhe atyre që mbajnë peng institucionet, si Sllavko Simiq.