
Akuzat e LVV-së, Kushtetuesja: Deklarime të pamatura, të dëmshme për zhvillimin demokratik
Të dielën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë fjalës së tij pas mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se “Opozita po bën ankesa të vazhdueshme në Gjykatën Kushtetuese, sepse i kanë zgjedhur gjyqtarët në kohën e PAN-it”.
Kjo nxiti reagimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilët u shprehën të shqetësuar me këto deklarime.
Sipas Kushtetueses, deklarimet e tilla janë të pamatura dhe të dëmshme për zhvillimin e demokracisë në vend, raporton Zeri.info.
“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.
Gjykata Kushtetuese ka apeluar te të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj dhe të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.
“Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet ndër tjera. /Zëri