
U shkarkua nga Hamza, flet për herë të parë Jashari: Ishte gabim teknik me vlerë 6500 euro
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të Kulturës Fahri Jasharin.
Ai dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, thuhet në vendimin e shkarkimit.
Lidhur me këtë për Indeksonline ka folur vetë ish-drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari.
Ai thotë se ka të bëjë me një gabim teknik që ka ndodhur më rastin e lidhjes së një kontrate.
“Realisht e vërteta qëndron në atë që në një kontratë e kemi bërë një gabim teknik, pra kemi vendosur të holla më shumë, mirëpo me palën jemi dakordu dhe të hollat janë rikthyer”, ka thënë fillimisht Jashari.
Jashari thotë se bëhet fjalë për një çmim prej 6 mijë e 500 eurove.
“Vlera e shtuar ka qenë në shumën prej 6 mijë e 500 eurove, totali është 10 mijë, ndërsa 3 mijë e 50 kanë qenë me projekt dhe gjatë procesit kemi lëshu ndonjë gabim, por kur e kemi marrë një raport prej zyrës së financave e kemi vrejtë gabimin’’, ka thënë Jashari.
Më tutje Jashari thotë se për këtë çështje ka folur edhe me kryetarin Hamza, mirëpo që tashmë vendimi është marrë nga ana e tij.
Sipas njoftimit, hetimet janë në fazën fillestare, ndërsa besohet se me ndërhyrjen e hershme është parandaluar një dëm i mundshëm financiar ndaj Komunës së Mitrovicës.