Presidentja Osmani dhe ambasadori i Arabisë Saudite diskutojnë për thellim bashkëpunimi
Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Osmani dhe ambasadori i Arabisë Saudite diskutojnë për thellim bashkëpunimi

Aktuale September 08, 2025 - 13:32

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takim me ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi.

Siç bëhet e ditur nga Zyra për media e Presidencës së Kosovës, Osmani e ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe mbështetjes së mëtejshme ndërkombëtare për vendin.

Image

“Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e tyre, përmes nxitjes së investimeve ekonomike në Kosovë, mbështetjes së mëtejshme ndërkombëtare për vendin tonë nga ana e Arabisë Saudite, si dhe rritjes së bashkëpunimit mes qytetarëve të të dyja vendeve. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite, duke ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të kësaj miqësie”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, bëhet e ditur se ambasadori Hifzi i dorëzoi presidentes Osmani ftesën e Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite për të marrë pjesë në forumin “Future Investment Initiative” që do të mbahet në Riad.

“Presidentja falënderoi ambasadorin për ftesën dhe ritheksoi gatishmërinë për të vazhduar punën e përbashkët me Lartmadhërinë e Tij, me synim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve”, thotë Presidenca e Kosovës.