
“Zenel Hajdini” hap dyert pas renovimit, Rama: Të gjitha shkollat drejt mësimit tërëditor
Shkolla “Zenel Hajdini” në lagjen “Kodra e Trimave” është rihapur pas renovimit, duke u bërë shkolla e tretë në këtë zonë dhe e 12-ta në kryeqytet që kalon në mësim tërëditor.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se synimi është që brenda katër vjetëve të gjitha shkollat e kryeqytetit të funksionojnë me këtë model.
“Ka pasur renovime në shumë pjesë të shkollës ‘Zenel Hajdini’. Tash është me mësim tetorësh. Është shkolla e tretë në lagjen e ‘Kodrës së Trimave’ me mësim tërëditor dhe shkolla e 12-të në kryeqytet. Ne synojmë që në katër vitet e ardhshme t’i kemi të gjitha shkollat me mësim tërëditor. Kjo është një ndihmesë e madhe për të gjitha familjet, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë të stresit. Duke i dërguar fëmijët këtu që nga ora 07:45 deri në orën 16:00, është duke u rregulluar edhe kuzhina, në mënyrë që fëmijët të kenë ushqim në këtë shkollë, sikurse në të gjitha shkollat e tjera. Sa i përket aspektit të digjitalizimit dhe kurrikulave digjitale, është në proces vendosja e paneleve në secilën klasë”, tha Rama.
Ai shtoi se ende ka punë për t’u kryer në hapësirat e jashtme të shkollës, por ekipi është duke punuar për t’i finalizuar ato.
“Këtu ende po shoh se nevojiten edhe disa punë në hapësirat e jashtme, të cilat janë ende të papërfunduara, por ekipet janë duke punuar në këto çështje”, tha ai.