
Kushtetuta e Kaçanikut hapi rrugën drejt themeleve të shtetësisë
Duke u mbështetur në të drejtën universale të vetëvendosjes dhe në vullnetin sovran të popullit shqiptar, më 7 shtator të vitit 1990, në mbledhjen e përbashkët të tri Dhomave të Kuvendit të Kosovës në Kaçanik u miratua dhe u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Ky akt i madh historik, pasoi Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të të njëjtit vit, dhe u shoqërua me nxjerrjen e ligjit për zgjedhjet, si dhe vendime të tjera të rëndësishme për funksionimin e Kuvendit. Shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut, u cilësua si hap tutje drejtë vendosjes së themeleve të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ky akt shënoi avancimin e pozitës kushtetuese dhe politike të Kosovës, duke e transformuar në njësi të pavarur dhe me të drejta të barabarta brenda ish-federatës së atëhershme jugosllave.
Kushtetuta e Kaçanikut kishte gjithsej 140 nene, nëpërmjet të cilave rregullohej funksionimi i institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në mbështetje të Kushtetutës së Kaçanikut dhe vendimit të Kuvendit të Kosovës, në shtator 1990 ishte mbajtur edhe Referendumi për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran.
Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.
Kryesuesi i Kuvendit të asaj kohe, Iliaz Ramajli, ka evokuar kujtime duke nënvizuar se miratimi i saj nuk ishte thjesht një dokument juridik, por një akt i guximshëm politik, një deklarim i qartë për liri, barazi dhe vetëvendosje. Ishte themel mbi të cilën u ndërtuan institucionet e shqiptarëve të Kosovës nën okupimin serb dhe më vonë edhe lufta e armatosur për çlirim.
35 vjet më pas, Ismet Salihu, njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kaçanikut, nënvizon se në fokus të modelit bazë për hartim janë marrë disa shtet të Evropës. Ai kujton se më shumë se dy muaj anëtarët e komisionit kanë punuan vetëm gjatë natës dhe në ilegalitet, në konspiracion të plotë.
Ndaj, nënvizon Salihu, duke u mbështetur në legalitetin dhe legjitimitetin e këtyre dy akteve bazike politike dhe juridike në të cilin u manifestua vullneti politik i shumicës së popullit shqiptar të Kosovës edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kushtetutën e Kosovës i ka konsideruar si legale dhe legjitime.
Ndërkohë, akademiku Arsim Bajrami ka vënë në pah se Kushtetuta e Kaçanikut ishte gurthemel i shtetit të Kosovës, duke nënvizuar se ajo shënoi kulmin e kërkesave legjitime që filluan të artikuloheshin fuqishëm në demonstratat gjithëpopullore të viteve 1968 e 1981, me kërkesën themelore që Kosova të konstituohej si republikë e barabartë me njësitë tjera federale të ish-Jugosllavisë.
Ndryshe nga Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e vitit 1974, akademik Bajrami vë në pah se Kushtetuta e Kaçanikut, përmbante një tekst të shkurtër, por thelbësor, i cili përcaktonte një organizim plotësisht të pavarur politik e kushtetues. , duke u mbështetur në parimet e sovranitetit të popullit, lirisë së veprimit politik, pluralizmit ekonomik, tregut të lirë dhe kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, si themel i rendit juridik./rtk