
Haradinaj: Sulmet e Kurtit ndaj Kushtetueses, të ulëta dhe të rrezikshme
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas sulmit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese, ku ky i fundit i akuzoi gjyqtarët e këtij institucioni për lidhje me opozitën.
Haradinaj e ka quajtur të dhimbshme faktin që kryeministri aktual dhe ai që pretendon ta marrë përsëri këtë post, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vend, duke e sulmuar “aq egër e aq ulët”.
Ai tha se Kurti nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që, sipas tij, i ka bërë ai vetë dhe partia e tij, por zgjedh të mashtrojë duke e fajësuar Gjykatën Kushtetuese.
“E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër dhe ky është Albin Kurti. Kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt!”, ka shkruar Haradinaj.
Ai theksoi se gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur nga Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës, “e jo nga formacionet imagjinare të Kurtit”.
Në fund, Haradinaj kërkoi që Gjykata Kushtetuese, në interpretimet e saj për shkelje të Kushtetutës, të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e tyre, por të përcaktojë edhe pasojat ligjore e juridike për secilin individ apo grup që i bën ato.
“Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi!”, përfundoi ai.