
Basha: Policia e Kosovës, simbol i shtetit tonë të pavarur
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se Policia e Kosovës, përveç se është garantuese e qetësisë sonë të përditshme, ajo është bërë edhe simbol i shtetit tonë të pavarur.
"Sonte bashkë me Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti, dhe Ministrin Sveçla ishim mysafirë të drejtorit Gazmend Hoxha, ku festuam 26 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, e cila vlerësohet në mesin e institucioneve më të respektuara dhe më të besuara nga qytetarët tanë", shkroi Basha në Facebook.
Sipas tij, Policisë së Kosovës i është njohur profesionalizmi i dalluar edhe nga organizatat dhe partnerët tanë ndërkombëtare.
"Policia e Kosovës, përveç se është garantuese e qetësisë sonë të përditshme, ajo është bërë edhe simbol i shtetit tonë të pavarur, dhe krejt kjo përmes punës së pandalshme dhe operacioneve efikase duke shkatërruar bandat kriminale si në jug, po ashtu edhe në veri të vendit. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, shpreh mirënjohjen më të thellë dhe respektin më të madh për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për përkushtimin, sakrificën dhe guximin e tyre të përditshëm. Me nderim të veçantë përulemi para kujtimit të policëve që ranë në krye të detyrës, duke dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit të vendit dhe për garantimin e sigurisë publike. Sakrifica e tyre është gurthemeli i lirisë sonë dhe amanet për gjeneratat që vijnë", tha ai.