
Kurti: Policia nuk i la shans krimit e terrorizmit në veri
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ka veçuar punën e Policisë në veri të shtetit, raporton Ekonomia Online.
“Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim i një date por dëshmi e rrugës tonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj ndaj qytetarëve dhe Republikës,” theksoi Kurti.
Ai vlerësoi Policinë e Kosovës si themel të sigurisë së vendit dhe u zotua për mbështetje të vazhdueshme institucionale.
“Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka konfirmuar sërish që është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj, në veri ajo sërish nuk i la shans krimit, terrorizmit dhe strukturave ilegale të sponsorizuara nga Serbia”, ka thënë Kurti. “U kthyen ndërtesa publike të uzurpuara, u çmontuan kompani ilegale, u sekuestruan armë e pajisje ushtarake, krejt këto fitore të qytetarëve tanë, të arritura falë policëve tanë që tregojnë qartë se epoka e paralelizmit ka marrë fund. Kosova është një e pandashme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj”.
Kurti ka vlerësuar punën e Policisë edhe në luftën ndaj krimeve të luftës.
“Policia jonë nuk ndalet as para krimeve të së kaluarës, arrestimet e personave të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës janë dëshmi se drejtësia edhe kur vonon, ajo megjithatë vjen një ditë. Kjo është përgjegjësi ndaj kujtesës tonë kombëtare dhe ndaj viktimave të agresionit dhe gjenocidit të Serbisë”, ka thënë ai.