26 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës, festa mbyllet me lëvdata nga drejtuesit e shtetit

26 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës, festa mbyllet me lëvdata nga drejtuesit e shtetit

Aktuale September 06, 2025 - 22:43

Policia e Kosovës për dy ditë me radhë e ka festuar 26 vjetorin e themelimit të saj me anë të aktiviteteve të shumta, përfshirë edhe garave sportive.

Kulmi i festimeve është duke u shënuar sot në ceremoninë kryesore për 26 vjetorin e themelimit, ku po marrin pjesë edhe liderët shtetëror.

Ishte presidentja Vjosa Osmani e cila e nisi këtë ceremoni me një fjalim kushtuar zyrtarëve policorë, për të cilët është mburrur dhe se janë krenaria e vendit.

“‘Polici i shërben vendit edhe kur vet përballet me rrezikun’, kjo frazë e njohur e përshkruan më së miri misionin fisnik, sakrificën dhe besnikërinë ndaj atdheut nga secili prej jush. Sot në 26 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ne kremtojmë historinë e Policisë së Kosovës, e cila është histori e kurajës, përkushtimit dhe përballjes me sfidat në për të cilat ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti i ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta, të sovranitetit dhe integriteti tonë territorial”, u shpreh Osmani.

Pas saj, Policia e Kosovës u urua edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili i konsideroi zyrtarët policorë si më besnikët për vendin.

“Sot shënojmë 26 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, institucionit më të besueshëm në Republikën tonë, së bashku me FSK-në, ushtrinë tonë. Ky përvjetor nuk është thjesht shënim i një date, por është dëshmi e rrugës sonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj, qytetarëve dhe Republikës”, ka theksuar Kurti.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se zyrtarët policorë janë ata që populli ka besim në ta dhe në uniformën e tyre.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu të festoj sot me ju në 26 vjetorin e Policisë së Kosovës. 26 vite më parë, pas përpjekjeve të pareshtura të populli tonë për çlirim, uniforma e Policisë së Kosovës u kthye në shpresë dhe besim për qytetarët tanë”, ka thënë Sveçla.

Gazmend Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se institucioni që ai drejton është bërë simbol i besimit dhe shpresës për ndërtimin e shtetit.

“Ky zhvillim dhe avancim është rezultat i përkrahjes së vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve tjera vendore e akterëve ndërkombëtarë për çka ne u jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka thënë Hoxha.