
Qeveria e Maqedonisë marrëveshje me Republikën Srpska, reagon BDI
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së fundit të nënshkruar mes Fondit Pensional të Maqedonisë së Veriut dhe Fondit të Republikës Srpska, duke e cilësuar atë si një hap të rrezikshëm politik që e largon vendin nga orientimi euroatlantik dhe e ofron me botën serbe.
Sipas BDI-së, Qeveria monoetnike e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe aleatëve të tij po thellon bashkëpunimin me strukturat e Milorad Dodikut, të cilat njihen si vegla të Beogradit dhe Moskës.
Në reagim theksohet se marrëveshja është nënshkruar nga një kuadër i ZNAM-it, me miratimin edhe të zëvendësdrejtorit nga radhët e VLEN-it, pjesë e koalicionit qeveritar.
“Është e papranueshme që një shtet kandidat për BE të injorojë marrëveshjen e plotë me Bosnjën dhe Hercegovinën, duke legjitimuar drejtpërdrejt një entitet që sfidon hapur sovranitetin e Bosnjës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia shqiptare thekson gjithashtu se gjatë ceremonisë mungoi flamuri shtetëror i Bosnjës e Hercegovinës dhe u vendos vetëm flamuri i Republikës Srpska, çka shihet si simbolikë e rrezikshme politike.
BDI ngre pyetjen publike nëse Maqedonia e Veriut po ecën drejt integrimit evropian apo drejt projekteve të “botës serbe”, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të kundërshtojë çdo hap që rrezikon orientimin euroatlantik të vendit.