
Bajraktari: Gjasat janë reale që Kushtetuesja të thotë se zgjedhja e nënkryetarëve nga pakicat ishte jo kushtetuese
Juristi kosovar, Ardian Bajraktari, ka shkruar sot për masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese që ndalon çfarëdo veprimi drejt krijimit të institucioneve të reja.
Bajraktari ka thënë se gjasat reale janë që të konstatohet se zgjedhja e nënkryetarëve të komuniteteve pakicë ishte jo kushtetuese.
Sipas tij, Kuvendi do të obligohet që të kthejë procesin tek pika e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe procedura e zgjedhjes së tyre duhet të bëhet sipas praktikës së deritashme.
“Ndonëse miratimi i masës së përkohshme deri më 30 shtator 2025, nuk paragjykon në asnjë mënyrë meritat e kërkesës, megjithatë gjasat janë reale që kjo kërkesë të pranohet dhe të konstatohet se zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë ishte jo kushtetuese.Të obligohet Kryetari i Kuvendit si dhe deputetët të kthehen tek pika e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radha e komuniteteve jo shumicë dhe se zgjedhja e tyre duhet të bëhet sipas praktikes së deritashme parlamentare, Rregullores së Kuvendit dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.