
VV-ja pajtohet se Kuvendi s’është kryer, Rexhaj: Jemi në fazën e fundit të konstituimit
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve deri më 30 shtator.
Pavarësisht këtij vendimi, të dielën është paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të zyrtarizohet emri i mandatarit për formimin e qeverisë.
Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka theksuar se mbledhja do të zhvillohet, pasi subjekti e konsideron se Kuvendi tashmë është në fazën përfundimtare të konstituimit.
Rexhaj tha se do ta emërojnë edhe mandatarin, shefin e partisë, Albin Kurti.
“Sigurisht që do ta mbajmë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, sepse ai është Këshilli i LVV-së i subjektit tonë politik. Ne konsiderojmë që tashmë jemi në fazën e fundit të konstituimit të Kuvendit dhe natyrisht do ta emërojmë mandatarin tonë, pra Albin Kurtin. Ku pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi ta lexojmë atë ne do ta dërgojmë emrin e Kurtit te presidentja për të filluar fazat e Kuvendit të Kosovës, ku na nevojitën 61 vota për ta votuar qeverinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai në Tëvë1.
Ndërkaq, për dallim nga Rexhaj, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, tha dje se Kuvendi është konstituuar.
“Kuvendi është konstituuar, por ne ende nuk kemi një qeveri të re të dalë nga ky kuvend, përkatësisht legjislatura e nëntë e Kuvendit. Neni 30 i Ligji për Qeveri e thotë qartë se Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me po këtë ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit. Sa i përket rastit të znj. Haxhiu dhe znj. Rexhepi, ato janë liruar nga detyra në kabinetin qeveritar pasi të njëjtat janë zgjedhur nga kuvendi në pozitat e nënkryetarëve të Kuvendit dhe kanë detyra dhe përgjegjësi të reja”, tha Kryeziu për RTV21.