Nuk priten reduktime të ujit në Prishtinë përkundër thatësirave
Foto: Laura Hasani

Nuk priten reduktime të ujit në Prishtinë përkundër thatësirave

Aktuale September 06, 2025 - 09:53

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka deklaruar se me rënien e temperaturave nuk priten reduktime të ujit.

Ajo theksoi se keqpërdorimet ilegale të ujit janë zvogëluar ndjeshëm dhe situata me rezervat e ujit është përmirësuar krahasuar me vitet e kaluara.

“Jo, nuk do të ketë reduktime. Me rënien e temperaturave bien edhe keqpërdorimet që kanë ndodhur në masë të madhe. Kemi pasur diku rreth 300 shkëputje për një muaj, kyçje ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit dhe keqpërdorime të formave të ndryshme të ujit. Apleojmë tek qytetarët që të vetëdijësohen për këtë problem sepse uji nuk është luks. E dimë që secili ka të drejtë të ketë qasje në sistemin publik të ujësjellësit, por jo të abuzojë apo të vjedhë ujin e pijshëm. Ky ujë që e përdorim për ujitje e ka një kosto shumë të lartë për trajtimin e tij, duke kaluar në të gjitha proceset teknologjike për trajtim, duke u shpërndarë në rrjetet primare, sekondare dhe terciare. Pra, ky ujë duhet të përdoret për pije, higjienë dhe asesi për destinime të paarsyeshme”, deklaroi Mjeku për EO.

Sipas saj, aktualisht niveli i ujit është vetëm 5-6 metra nën nivelin maksimal, që siguron furnizim të mjaftueshëm për qytetarët gjatë vjeshtës dhe pranverës së ardhshme.

“Nëse fillojmë prej vitit 2013, ku niveli i ujit ishte -14 metra nën nivelin maksimal, atë kohë kemi rezerva vetëm për një muaj. Tashmë nuk e kemi atë gjendje, është shumë më mirë, e kemi 5-6 metra minus nën nivelin maksimal të mbushjes. Me ujë qëndrojmë mirë, nuk mund të them perfekt, por krahasuar me vitet paraprake nuk jemi keq”, theksoi ajo.

Kompania bën apel për vetëdijesim dhe përdorim të kujdesshëm të ujit.

Borxhi total 45 milionë euro vazhdon të mbetet i tillë. Ata që kanë qenë të rregullt kanë qenë gjithmonë të rregullt, ata që nuk janë mund të vijnë të bëjnë riprogramim të borxhit. Borxhi nuk falet, është obligim ligjor që të paguhet për shërbimin. /eo