Pezullimi i punës së Parlamentit, LVV: Kushtetuesja po e mban Kuvendin në pauzë për interesat e Listës Serbe

Pezullimi i punës së Parlamentit, LVV: Kushtetuesja po e mban Kuvendin në pauzë për interesat e Listës Serbe

Aktuale September 05, 2025 - 23:42

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur masë të përkohshme duke pezulluar punën e Kuvendit për 25 ditë, pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe.

Sipas Vetëvendosjes, vendimi i Gjykatës është në kundërshtim me funksionalizimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, duke penguar punën e 120 deputetëve. “Ky diktat i Gjykatës Kushtetuese po e mban Kuvendin në pauzë vetëm pse Lista Serbe nuk mori votat e mjaftueshme për të pasur një nënkryetar”, theksohet në reagim.

VV kujton se procesi i konstituimit të Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe se tashmë janë bërë 112 ditë pritje për vendimet e Gjykatës. Në reagim shtohet se pretendimet e Listës Serbe për të pasur ekskluzivitet në propozimin dhe zgjedhjen e nënkryetarit nuk janë të mbështetura as në Kushtetutë e as në frymën e organizimit shtetëror të Kosovës.

Sipas Vetëvendosjes, një interpretim i tillë do të krijonte praktikë të rrezikshme të vetos nga partitë me vende të rezervuara, duke bllokuar funksionimin e Kuvendit të Kosovës.