
Spitali i Pejës me deklaratë për media lidhur me shkrimet për mbylljen e Repartit të Pulmologjisë
Në lidhje me disa tituj të publikuar në media, ku pretendohet se “Spitali i Mushkërive në Pejë i themeluar nga viti 1950 ka ndërprerë shërbimet”, Reparti i Pulmologjisë në Pejë ka dalë me një deklaratë për media për ta sqaruar opinionin publik se kjo nuk është e vërtetë.
“Reparti i Mushkërive në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë nuk është mbyllur dhe nuk ka ndërprerë shërbimet”, thuhet në deklaratë, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë:
Lidhur me shkrimet për mbylljen e Repartit të Pulmologjisë!
Në lidhje me disa tituj të publikuar në media, ku pretendohet se “Spitali i Mushkërive në Pejë i themeluar nga viti 1950 ka ndërprerë shërbimet”, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se kjo nuk është e vërtetë.
Reparti i Mushkërive në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë nuk është mbyllur dhe nuk ka ndërprerë shërbimet. Ne edhe dje në përgjigjen tonë për një medium nacional kemi dhënë qëndrimin tonë publik, ku qartë kemi thënë se pacientët vazhdojnë të marrin trajtimin e nevojshëm, për çfarë në brendësi të tekstit jemi cituar drejt, por vendosja e titujve ka qenë jo korrekte dhe jo e saktë me deklarimin tonë dhe realitetin .
Për më tepër, theksojmë se institucioni i quajtur “Spitali i Mushkërive” nuk funksionon si spital i veçantë që disa dekada më parë, pasi ka kaluar në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm dhe ka vazhduar të funksionojë si Repart i Pulmologjisë.
Aktualisht në repart kemi të punësuar dy mjekë pulmologë. Njëra prej tyre është në pushim mjekësor, ndërsa tjetra në pushim vjetor të rregullt. Gjatë kësaj kohe:
• Pacientët që kanë nevojë për trajtim pulmologjik trajtohen nga mjekët e repartit internistik;
• Rastet më të komplikuara referohen dhe transferohen në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, Prishtinë;
• Shërbimet laboratorike dhe terapitë medikamentoze vazhdojnë të ofrohen rregullisht për pacientët.
Pra, shërbimet për qytetarët nuk janë ndërprerë dhe të gjithë pacientët garantohet që marrin trajtim të vazhdueshëm dhe të sigurt.
I lusim mediat që raportimet të jenë sa më të sakta dhe të balancuara, në mënyrë që qytetarët të marrin informacionin e drejtë dhe të plotë për shërbimet tona.