
Kryetari i Prishtinës Rama dhe nënkryetari Manaj dorëzojnë kërkesë zyrtare në Kushtetuese
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dorëzuar sot kërkesë zyrtare kundër Ministrisë së Financave në Gjykatën Kushtetuese.
Pas dorëzimit të kërkesës, Rama së bashku me nënkryetarin e kryeqytetit, Shkëmb Manaj, mbajtën konferencë për media.
“Siç jeni në dijeni, tash e nëntë muaj kjo ministri e ka bllokuar buxhetin për Komunën e Prishtinës. Në argumentin tonë, kjo përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës, sepse cenohet buxheti por edhe jeta e qytetarëve. Kjo është bllokadë puro politike,” deklaroi Manaj.
Rama nga ana tjetër theksoi se bëhet fjalë për 35 milionë euro, mjete që sipas tij i takojnë ligjërisht Prishtinës.
“Fondet të cilat me ligj i takojnë Kryeqytetit janë të bllokuara tash e nëntë muaj. Në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme, prej unazës së qytetit ku janë bllokuar 82 milionë euro të cilat kanë qenë falas, por për çështje politike ky ministër e ka penguar procesin,” shtoi Rama. /eo
.