Selmanaj: Marrëveshja e Washingtonit, mundësia që Kurti dhe Osmani ia mohuan Kosovës
Foto: Laura Hasani

Selmanaj: Marrëveshja e Washingtonit, mundësia që Kurti dhe Osmani ia mohuan Kosovës

Aktuale September 05, 2025 - 08:02

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka vlerësuar se Marrëveshja e Washingtonit ka qenë një mundësi e madhe për Kosovën.

Ai ka bërë me dije se këtë mundësi Kosovën ia mohuan presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se sapo erdhën në pushtet Albin Kurti dhe Vjosa Osmani hodhën në kosh këtë marrëveshje.

“Marrëveshja e Washingtonit – mundësia që Kurti dhe Osmani ia mohuan Kosovës! Më 4 shtator 2020 Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Uashingtonit – një dokument që i hapte rrugë forcimit të aleancës me SHBA-në dhe shndërrimit të Kosovës në nyje ekonomike dhe gjeopolitike të rajonit. Autostrada, hekurudha, gazsjellës, investime energjetike, marrëveshja për 5G, përfshirja në projektet e MCC-së dhe njohja nga Izraeli nuk ishin thjesht premtime, por hapa konkretë që Qeveria Hoti i nisi menjëherë. Në vetëm pak muaj, Kosova kishte plan të qartë zbatimi, marrëveshje me SHBA-në për investime, bisedime për korridore rrugore e hekurudhore, projekte për diversifikimin e energjisë dhe hapa të rëndësishëm drejt integrimit rajonal. Ishte vendosur një bazë e fortë për zhvillim dhe përparim”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje të tjera.

“Por Albin Kurti dhe Vjosa Osmani sapo morën pushtetin në vitin 2021, i hodhën në kosh të gjitha. Jo pse nuk ishin të dobishme për vendin, por thjesht pse nuk mbanin firmën e tyre. Ky ishte akt i pastër hakmarrjeje politike, një vendim i diktuar nga egoja dhe inati, jo nga interesat e Kosovës. Rezultati është i qartë: Kosova humbi kohë, investime, projekte strategjike dhe mundësinë për të qenë faktor i pazëvendësueshëm në rajon. Pesë vjet më vonë, edhe ata që e quanin “tradhti” e pranojnë se Marrëveshja e Uashingtonit kishte rëndësi historike. Por është vonë. Dhe përgjegjësia për këtë humbje ka emër – Albin Kurti & Vjosa Osmani”, ka shkruar Selmanaj.