Zogaj: Kuvendi s’është konstituuar, viti 2025 i humbur për Kosovën
Foto: Laura Hasani

Zogaj: Kuvendi s’është konstituuar, viti 2025 i humbur për Kosovën

Aktuale September 04, 2025 - 13:37

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka deklaruar se Kosova është në një ngërç të ri politik, ngase sipas tij LVV-ja, përmes kryetarëve të Kuvendit të zgjedhur e të votuar, e konsideron që është konstituuar Kuvendi.

Zogaj thotë se ky është një interpretim i gabuar për arsye se pa u zgjedhur e tërë kryesia e Kuvendit, nuk mund të konsiderohet i konstituuar Kuvendi.

Më tej, ai shtoi se aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese do të kërkojë nga deputetët që të kthehen prapë te pika e votimit të nënkryetarëve dhe të votohen në pako.

“Jemi pra në një pozicion dhe në një ngërç të ri politik, për arsye se partia fituese e zgjedhjeve përmes kryetarëve të Kuvendit tashmë të zgjedhur e të votuar konsiderojnë që është konstituua Kuvendi i Kosovës, por ky është një gabim dhe një interpretim i gabuar për arsye se pa u zgjedh krejt kryesia e Kuvendit nuk mund të konsiderohet i konstituuar Kuvendi. Ne jemi të bindur si LDK se aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese do të kërkoj nga deputetët e Kuvendit që të kthehemi prapë te pika e votimit të nënkryetarëve dhe nënkryetarët të votohen në pako, ashtu siç kanë qenë praktikat e mëparshme normalisht në një kompromis”, ka deklaruar Zogaj në Teve1.

Ndërkohë, sipas deputetit, ky vit është një vit i humbur për Kosovën dhe për ekonominë, duke akuzuar LVV-në për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.

“Ky vit është vit i humbur për Kosovën, për ekonominë është vit i humbur për shoqërinë në përgjithësi dhe kjo është një fatkeqësi e madhe, kjo fatkeqësi këtë vit i ka ardhur vendit tonë nga një adresë e ajo është LVV-ja. Fituesi i zgjedhjeve e ka përgjegjësinë për të krijuar institucionet”, tha ai ndër të tjera.