Piloti i përfshirë në aferën e spiunazhit në Kosovë, deklarohet ministri kroat i Mbrojtjes

Piloti i përfshirë në aferën e spiunazhit në Kosovë, deklarohet ministri kroat i Mbrojtjes

Aktuale September 03, 2025 - 14:08

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, deklaroi se piloti i Forcave të Armatosura të Ushtrisë Kroate, i përfshirë në aferën e spiunazhit në Kosovë, nuk ka pasur qasje në informacione konfidenciale që do të rrezikonin sigurinë e Ushtrisë kroate, por se reputacioni i ushtrisë është dëmtuar.

Ai njoftoi se procedura ndaj oficerit do të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe se kontrolli brenda ushtrisë do të forcohet më tej.

“Këto janë incidente serioze që duhet të parandalohen”, theksoi ai, duke shtuar se tashmë ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes nga VSOA-ja (Shërbimi i Sigurisë Ushtarake).

Duke komentuar deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës për blerje të përbashkët të armëve me Shqipërinë dhe Kroacinë, Anushiqi tha se ajo mund të realizohet mes Shqipërisë dhe Kroacisë, sepse janë anëtare të NATO-s.

Kosova, sipas tij, ka kushte të ndryshme për blerjen e armëve, prandaj është e vështirë të arrihet një koalicion ku të tria shtetet mund të blejnë armë së bashku, raporton vijesti.ba.

Gazetarët e pyetën gjithashtu Anushiqin për koment mbi reagimet nga Beogradi pas deklaratës së kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq se Serbia është në prag të një lufte civile, të cilën kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, e komentoi duke thënë se “kjo është pikërisht ajo që disa në Kroaci duan dhe në të cilën kanë investuar shumë”.

Anushiqi u përgjigj se Kroacia nuk ka asnjë lidhje me këtë.

“Serbia ka qartazi probleme të mëdha politike brenda vetes dhe drejton gishtin nga Zagrebi si shkak i çdo problemi të saj. Ne jemi anëtarë të BE-së, NATO-s, një shtet që gjithmonë ka ofruar dorën e bashkëpunimit ndaj Serbisë për integrimin në BE dhe strukturat perëndimore. Por është Serbia ajo që vendos se çfarë politike do të ndjekë në të ardhmen. Unë u uroj çdo të mirë dhe që një ditë të bëhet anëtare e BE-së, NATO-s dhe të stabilizojmë këtë pjesë të Evropës”, përfundoi Anushiqi.