Zhvillimet në Mitrovicë, Elshani: S’ka nevojë për panik, jemi në secilin vend të veriut
Foto: Laura Hasani

Zhvillimet në Mitrovicë, Elshani: S’ka nevojë për panik, jemi në secilin vend të veriut

Aktuale September 03, 2025 - 13:01

Mbishkrime kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti janë shfaqur mbrëmë në veri.

Mbishkrimet kanë qenë të shkruara në një mur në gjuhën serbe dhe me shkronja cirilike.

Ndërkohë, gjatë ditës së martë në veri Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës kanë gjetur armë, municion, bluza me mbishkrime nacionaliste, pije alkoolike e mallra të kontrabanduara.

Lidhur me të gjitha këto, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut të Kosovës, Veton Elshani, tha se qytetarët nuk kanë nevojë të kenë panik.

Ai deklaroi se Policia e Kosovës është në secilin vend të veriut dhe s’ka nevojë për shqetësime.

“Jo, nuk ka nevojë për panik. Ne jemi në secilin vend të veriut të vendit. Situata është e qetë, stabile, delikate për shkak të zhvillimeve politike që kanë ndodhur këtu. Por sa i përket kanosjeve që neve na vijnë këtu ne nuk bëhemi merak. Të gjithë jemi në atë rrjetin social të korridorit, prej meje deri te polici më i thjeshtë që punon në recepsion – nuk është për t’u shqetësuar kjo. Në rast se vjen puna për t’u marrë ne me ndonjë rast, ne normal që jemi këtu dhe merremi”, tha Elshani në Tëvë1.