Pas kritikave të PDK-së dhe LDK-së, reagon Qeveria: S’ka asnjë refuzim nga Kurti për Prokurorinë Speciale
Foto: Laura Hasani

Pas kritikave të PDK-së dhe LDK-së, reagon Qeveria: S’ka asnjë refuzim nga Kurti për Prokurorinë Speciale

Aktuale September 03, 2025 - 12:20

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu ka reaguar pas kritikave të ashpra të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me paraqitjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të dëshmuar në rastin e kanosjes ndaj tij.

Kryeziu përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrejtin social Facebook, i ka cilësuar akuzat për standarde të dyfishta si të pavërteta dhe ka theksuar se Kurti nuk ka refuzuar asnjëherë të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale.

“Paraqitja e kryeministrit Kurti në gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai theksoi se, Kurti ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë, madje ka kërkuar që intervistimi të bëhet në zyrën e tij, një praktikë e cila sipas tij është përdorur edhe në raste të tjera më parë.

“Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë”, ka shkruar Kryeziu.

Në lidhje me rastin e kanosjes, Kryeziu sqaroi se hetuesit e autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar Kurtin më 10 qershor 2025 në zyrën e tij, ndërsa sot ai është paraqitur në gjykatë si palë e dëmtuar.

Reagimi i Kryeziut vjen pasi deputetët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti, e akuzuan Kurtin për shmangie të drejtësisë dhe për qasje të dyfishtë ndaj institucioneve ligjzbatuese, duke e cilësuar qëndrimin e tij si selektiv dhe të politizuar.