
Nesër tërhiqet shorti për renditjen e partive në fletëvotime për zgjedhjet lokale
Të enjten, më 4 shtator, më shumë se 90 përfaqësues të subjekte politike do të tërheqin shortin për renditjen e subjekteve të tyre në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka treguar se subjektet politike janë njoftuar për këtë aktivitet.
"Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime është një proces i hapur, duke garantuar transparencë e plotë dhe trajtim i barabartë i të gjitha subjekteve politike", tha Elezi për RTKLive.
Fushata zgjedhore për subjektet politike do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë pak para hapjes së Qendrave të Votimit, në orën 06:59 të datës 12 tetor.